Krimi i Organizuar- Mafia
January 23, 2017 | Author: Khg Xmanx | Category: N/A
Short Description
Download Krimi i Organizuar- Mafia...
Description
Si është e organizuar mafia? Ky emër i dalë nga fjalori italian në vitin 1800 dhe e ka prejardhjen nga një fjalë arabe, mori jetë dhe u përfshi në fjalorin e botës me ngritjen e strukturave të mafies italiane. E nëse ka organizata të tilla si “Ndragheta”, “Sacra Corona Unita” e të tjera, aristokracia e mafies quhet “Cosa Nostra”. Pas saj vijnë të gjitha. Po si u ngrit dhe funksioni mafia. Sot “Tirana Observer” boton në 6 faqe të gjithë historinë e saj. Kush janë 20 familjet më të mëdha të mafies, kush janë 16 bosët e saj dhe 24 organizatat mafioze. Kodet e tyre dhe si betohet një anëtar i ri i mafies. Por edhe përse ai që vdes ose arrestohet quhet i fundit. Dhe në fund edhe krimet më të bujshme që këto organizata kanë kryer në histori. Ç’është mafia dhe kushtet që duhen plotësuar për të qenë pjesë e saj Betimi për t’u bërë anëtar i “Cosa Nostra”-s “U djegsha si kjo figurë e shenjtë e spërkatur me gjakun tim, nëse tradhtoj betimin tim”. Kjo është fraza përmbyllëse e formulës së betimit, e gdhendur në kodin mafioz. Nuk është synim i çdokujt që të bëhet pjesë e mafies, por në “botën e nëndheshme” ka rregulla po aq të forta sa mbi dhe. Mjafton të përmendim se anëtarët e rinj duhet të jenë patjetër deri në 7 breza italianë, nuk duhet të kenë asnjë lloj lidhjeje, as farefisnore dhe as miqësore me policinë apo prokurorinë, nuk duhet të jenë homoseksualë, nuk duhet të shkojnë me gratë e të tjerëve, etj. Riti i anëtarësimit Një anëtar i mundshëm i “Cosa Nostra”-s, para betimit ndiqet me kujdes dhe testohet për të parë nëse është i përshtatshëm për t’u bërë pjesë e organizatës. Pasi testohet ai çohet në një vend të veçuar në prezencë të tre “burrave të nderit” të familjes, ku më i vjetri prej tyre i thotë se mafia ka për qëllim të mbrojë të dobëtit dhe të eliminojë fëlliqësitë. Shpohet gishti i dorës së kandidatit dhe gjaku hidhet në imazh të shenjtë. Më pas imazhit i vihet flaka dhe anëtari i ardhshëm i mafies duhet ta mbajë në duar flakën deri sa të fiket krejtësisht duke u betuar, ndërkohë që do t’u qëndrojë besnik parimeve të “Cosa Nostra-s” dhe duke pranuar solemnisht: “U djegsha si kjo figurë e shenjtë e spërkatur me gjakun tim, nëse tradhtoj betimin tim”. Pas betimit, dhe vetëm atëherë, “burri i nderit” prezantohet me kreun e familjes, së cilës do t’i përkasë. Prejardhja e fjalës “Mafia” Termi “Mafia” u përdor fillimisht Sicili për të përkufizuar organizatën “Cosa Nostra”. Mendohet se fjala “Mafia” mund të ketë disa origjina etimologjike. Ndoshta vjen nga fjala arabe “MaHias”, që do të thotë “fortësi”, duke e lidhur me fuqinë e anëtarëve të kësaj organizate. Një
hipotezë tjetër është prejardhja nga fjala arabe “Mu’afak”, (mbrojtje ndaj të dobëtit). Ndërsa prejardhja më e mundshme e kësaj fjale mendohet të jetë nga dialekti toskan, ku fjala “Maffia” do të thotë “mjerim”. Sipas Xhuzepe Pitre, një prej historianëve më të shquar italianë të traditës popullore, termi “Mafia” ka qenë shumë i përhapur në zhargonin e një pjese të Palermos dhe ishte sinonim i bukurisë dhe trimërisë. Për herë të parë fjala “Mafia” ka hyrë zyrtarisht në fjalorin italian në vitin 1863, kur regjisorët Di Giuseppe Rizzotto e Gaetano Mosca vunë në skenë “Mafiusi di la Vikaria”, një dramë që u përkthye në italisht, në gjuhën napolitane, duke mundësuar kështu përhapjen e këtij termi në të gjithë territorin italian. Formula e betimit të “Cosa Nostra”-s Personi që kërkon të anëtarësohet mban në duar një imazh të shenjtë, e spërkat me gjakun e një prej gishtave të tij, i vendos zjarrin dhe më pas e mban në duar deri sa fiket duke përsëritur formulën e betimin. “Betohem se do të respektoj “barrën e heshtjes”. Nuk do të zbuloj para të huajve anëtarësimin tim dhe as sekretet e “Cosa Nostra”-s. Nuk do të bëj pyetje të tepruara dhe nuk do të bëhem kurrë kurioz për asgjë. Do të mjaftohem me ato që di vetë dhe ato që më thoni ju. Do të them gjithmonë të vërtetën për të gjitha ato çështje që kanë të bëjnë me “Cosa Nostra”-n. Nuk kam dhe nuk do të kem asnjëherë lidhje me policinë. U djegsha si kjo figurë e shenjtë e spërkatur me gjakun tim, nëse tradhtoj betimin tim”. B BASHKËPUNËTOR Një mafie s’është asgjë pa bashkëpunëtorët e saj. Këta të fundit formojnë pjesn më të madhe të trupave të saj: Familja vendore Carleone nuk i kalon 40 anëtarë të pranuar, kurse bashkëpunëtorët e saj, padyshim, janë dhjetë herë më të shumtë në numër. E njëjta gjë mund të thuhet edhe në Neë York, ku pesë familje mendohet se kanë të gjitha së bashku nga 600 deri në 650 “ushtarë” e drejtues e më shumë se 6 mijë bashkëpunëtorë. Bashkëpunëtorët shërbejnë për të realizuar lidhjet mes celulës kriminale dhe shoqërisë. F FAMILJE Në shoqërinë tradicionale mesdhetare, familja është gjithçka, kurse individi s’është asgjë. Buscetta është i irrituar nga liberalizimi i fëmijëve të mafiozëve amerikanë të gjeneratës së vjetër, sikurse Carlo Gambino apo Joe Bonnano që flasin akoma siçiliançe. Llogariten që në vitin 2002 të ishin 190 “familje” mafioze në Siçili me 5200 anëtarë, 89 nga të cilët në provincën e Palermos me 3200 anëtarë. Secila prej tyre është e lidhur fort me një territor të caktuar.
K KONTROLL
Mafia siçiliane është tërësisht katolike dhe i kushtohet një kulti dëlirësie e modestie femërore, ajo ka edhe shënjtoren e saj mbrojtëse, Zonjën e Shenjtë, që festohet me 25 mars, madje mafiozët nuk kryejnë vrasje të premteve. Mafiozët nuk kanë ekzistencë sociale endogjene, gati endogamike. Pikësëpari sepse bëmat e tyre, aktet, fjalët i janë nënshtruar në mënyrë të vazhdueshme një kontrolli social, rigoroz, për të matur pajtueshmërinë e tyre me statusin “njeri i nderuar”. M MBROJTJE Kur në një territor të dhënë kuadri juridik është i paqartë, policia është e paaftë dhe drejtësia joefikase, kur mosbesimi përgjithësohet e kur shteti s’mund ose nuk do të garantojë pasurinë e qytetarëve, këta të fundit u drejtohen për ndihmë formave të fshehta të mbrojtjes, shërbimeve kriminale, për të rregulluar konfliktet, për të marrë paratë e dhëna hua apo për të bërë vlershme kontratat. Kjo ofertë për mbrojtje private del nga krimi i organizuar dhe mafia. N NARKOTRAFIK Të kuptosh lidhjet midis mafiozëve dhe trafikut të lëndëve narkotike është vërtetë diçka themelore, shumë e rëndësishme. Pa një vizion të qartë të kësaj dukurie komplekse, është e pamundur të nisësh ndonjë luftë kundër drogës e për më tepër ta fitosh këtë luftë. Trafiku i lëndëve narkotike nuk ishte një aktivitet mafioz që në fillim të tij, e s’ka se si të ishte. Ndërkombëtar, madje ndërkontinental, narkotrafiku s’mund të përshtatet me pamjen e një prove mafioze. NJ NJERI I NDERUAR Njeriu i nderuar është alfa dhe omega e gjithë filozofisë mafioze. Si politika dhe çdo organizim tjetër njerëzor, edhe mafia mbi të gjitha, përbëhet nga njerëzit. Në këtë rast, “njerëzit e nderuar”. “Njeriu i nderuar” nuk duhet t’i tregojë askujt përkatësinë e tij, në rast të tillë dënohet me vdekje. Askujt që s’është mafioz, madje, as priftit ku rrëfehet, e aq më pak një mafiozi tjetër, nëse ai nuk ka qenë prezantuar formalisht nga një tjetër mafioz. O OMERTA Fjala Omerta, sikurse mafia, është me prejardhje të paqartë, por nëse etimologjia e termit është e paqartë, kuptimi i saj është i qartë. Omerta është shumë më tepër se një injeksion për të heshtur, madje më shumë si ligj i heshtjes, është një mënyrë e vërtetë të jetuari, një kulturë, elementi qendror i vizionit mafioz të botës, një lloj mbrujtje e dyshimit dhe misterit. Me anë të fragmentarizmit të detyruar, sistematik e konstant të informacionit që s’duhet kurrë jashtë mafies, sigurohet stabiliteti. R REKRUTIM
Të hysh në mafien siçiliane është mjaft e vështirë. Pikësëpari, është detyrim absolut të jesh siçilian nga nëna dhe babai, i seksit mashkull dhe katolik. Ndërkohë nuk pranohen djemtë e policëve dhe ata të gjykatësve, djemtë e paligjshëm ose nga prindër të ndarë, djemtë ose vëllezërit e grave “të lehta”, komunistët apo djemtë e militantëve komunistë, homoseksualët, djemtë e “njerëzve të nderuar” të vrarë nga mafia, në mënyrë që të shmanget hakmarrja brenda mafies. S STRUKTURA Thelbësore është se “Cosa Nostra” është një organizatë e vërtetë. Ajo është e organizuar në struktura hierarkike me majën e saj dhe me epiqendër në Palermo, ku është Selia e organit drejtues të shoqërisë, e quajtur “kupolë” apo “komision”. Por arkitektura mafioze është në ndryshim të vazhdueshëm, sipas oportuniteteve ekonomike dhe financiare, sipas nivelit të goditjes së shtetit e metodave të shefave. Ishulli i Siçilisë është quajtur “krahina” nga mafiozët. Instanca e lartë mafioze është “komisioni krahinor”. V VRASJE Mafia siçiliane vret ndonjëherë edhe shumë, por gjithmonë në rastet kur i ka harxhuar të gjitha mjetet e tjera. Sidoqoftë mafia nuk vret kurrë pa e peshuar mirë këtë gjë, asnjëherë nën peshën e një emocioni apo në kundërshtim me arsyen e shëndoshë. Përkundrazi, me përjashtim të rasteve të rralla, vrasja kryhet me kujdes të plotë, sipas kushteve, rregullave të protokollit. Për çdo vrasje është i detyrueshëm të merret miratimi nga shefi i kantonit territorial ku do të kryhet vrasja. Ja kush janë 16 bosët e famshëm të mafias Toto Riina Salvatore Riina fillon të bëhet shumë i pushtetshëm pas rënies së bosit të “korleonezëve”, Luciano Lixho, i cili arrestohet në maj të vitit l974. Pushteti i Don Totos, sikundër zbulojnë disa të penduar, arrin deri në SHBA, ku në pak vite bosi korleonez ja arrin të lidhë aleanca me disa nga “familjet” më të pushtetshme të “Cosa Nostra”-s amerikane. PIETRO ALIERI Anëtar i Komisaionit Rajonal dhe atij Provincial. Alieri aktualisht është 49 vjeç. Është arrestuar më 6 qershor të vitit 1997. Ai është njohur si dorë e fortë në “Cosa Nostra” me nofkën “gentelman” dhe është dënuar disa herë me burgim të përjetshëm. BADALAMENTI GAETANO
Ish-anëtar i Komisionit të “Cosa Nostra”-s siçiliane, por që jetonte në Amerikë. “Tano” është dënuar disa herë me burgim të përjetshëm. U arrestua në nëntor të vitit 1984 dhe vuajti dënimin në SHBA derisa vdiq, në vitin 2002, në moshën 79-vjeçare. LEOLUKA BAGARELA Është cilësuar si bosi korleonez i “Cosa Nostra”-s. Bagarela është kunati i Toto Riinas (burri i motrës). Ai është arrestuar më 24 qershor të vitit 1995. Leoluka është 66 vjeç dhe është dënuar disa herë me burgim të përjetshëm. SALVATORE BIONDINO Biondino është cilësuar si krahu i djathtë dhe njeriu më i besuar i Toto Riinas. Ai u arrestua bashkë me shefin e vet Riina më 15 janar të vitit 1993. Biondino së bashku me Toton janë shpallur fajtorë nga gjykata e Palermos për vrajen e prokurorit Paulo Borselino. STEFANO BONTADE Bondate është cilësuar si një ndër shefat e “Cosa Nostra”-s së Amerikës. Ai është njohur si kundërshtar i korleonezëve dhe i Toto Riinës. Stefano Bondate ka qenë anëtar i “Triumviratit” të “Cosa Nostra”-s në vitet ’70-të-’80-të. XHOVANI BRUSKA Bruska ka qenë shef qarku dhe anëtar i “Cosa Nostra”-s Siçiliane. Ai është njeriu që shtypi telekomandën që shpërtheu eksplozivin në vrasjen e prokurorit Xhovani Falkone. Por vrasjet e kryera nga ai arrijnë afërsisht shifrën 200.
BENEDETO SANTAPAOLA I quajtur ndryshe Nitto Santapaola më 8 shtator të 1978 vret Giuseppe Calderone, bossin më të rëndësishëm të Katanias, dhe më pas merr komandën e “Cosa Nostra”-s në këtë zonë. Por në 18 mars të 1993 arrestohet. Dënimi i fundit i Nittos është ai me 20 vjet heqje lirie. BERNARDO PROVENZANO Për 40 vjet me radhë ka qenë kapo misterioz i “Cosa nostra”. Bernardo Provenzano, ose i ashtuquajturi “zu Binnu”, por i njohur edhe me nofkën “u tratturi”, super bos si dhe drejtuesi më me jetëgjatësi në historinë e mafias është arrestruar dje nga policia italiane.
SALVATORE LO PIKOLO Bosi i mafias italiane, Salvatore Lo Piçolo, arrestohet së bashku me të birin, Sandron, pas 25 vitesh që ishte shpallur në kërkim. Më 5 nëntor 2007 miku i ngushtë i bosit të Mafias, Provenzanos, përfundoi në pranga. Lo Piçolo ishte shpallur në kërkim që prej vitit 1983. Lucky Luciano Salvatore Lucania i njohur më pas si Lucky Luciano, u bë mjaft i njohur në botën e mafies. Në vitin 1935 ai njihej si bosi i bosëve, jo vetëm i Nju Jorkut, por i gjithë vendit. Ai u arrestua dhe u dënua 30-50 vjet në ’36-n, por u lirua me kusht që të internohej në Itali. Carlo Gambino Carlo Gambino vinte nga një familje që kishte qenë pjesë e mafies prej shekujsh në Itali. Ai emigroi në SHBA, ku jetonte kushëriri i tij Paul Castellano. Aty ai u bashkua me njerëzit e Lucky Lucianos. Pasi vrau Anastasian ai udhëhoqi me një grusht të hekurt deri sa vdiq. Frank Costello Francesco Castiglia pasi u arrestua shumë herë për krime të ndryshme, ai u bë shok i ngushtë me Lucky Lucianon. Pas arrestimit të Lucianos, Costello u bë drejtues i klanit duke forcuar dhe zgjeruar fushën e veprimit. John Gotti Një prej gangsterëve më të mëdhenj që kanë sunduar në Nju Jork, John Gotti, dëshironte gjithnjë që të bëhej një njeri i mençur. Në vitet ’70 ai u bë kapo i trupës “Bergin”, një pjesë e familjes Gambino. Jashtë mase ambicioz, Gotti u përzje me drogë, gjë e ndaluar kjo nga familjet. Al Capone Nëse ka ekzistuar ndonjëherë një gangster që ka fituar numrin një, ai është Al Capone. Alphonse Capone lindi në Bruklin dhe prindërit e tij ishin emigrantë italianë. Ai u përfshi në bandën “Five Points”. Capone njihej si njeri shumë i dhunshëm; këtë e provon sidomos roli i tij në “orkestrimin” e Masakrës së Shën Valentinit në vitin 1931, ku u vranë rivalët e tij kryesorë. SEMION MOGILEVI Mafia ruse është e njofur si më e dhunshmja dhe më e frikshmja. Bosi i saj Semion Mogilevi njihej si njëeri mjaft i prerë dhe i ashpër. Përmes vrasësit të famshëm Ivanov, ai ka kryer qindra ekzekutime.
Cilët janë territoret ku shtrihen dhe bos-ët historikë që i kanë drejtuar në vite Familjet mafioze më të mëdha në botë Mënyrat e vrasjeve dhe armët që përdorin për ekzekutimet Nuk kanë lidhje gjaku me njëri-tjetrën, por mes tyre ekziston një lidhje e fortë besimi, lidhja e mafias. Janë familje të mëdha mafioze që drejtohen nga bosë të pushtetshëm, por që të gjithë kanë mbështetjen e “Cosa Nostra”-s, disa në Itali dhe disa në Amerikë. Gazeta “Tirana Observer” boton sot historitë, emrat dhe fotot e bosëve të familjeve më të mëdha mafioze në të gjithë botën. Nga familja “Mazara Del Vallo”, “Guadagna”, “Altofonte” në Itali e “Gambino” e “Bonano” në Amerikë. Vrasjet që kanë organizuar dhe dënimet që kanë marrë bosët më të mëdhenj të “Cosa Nostra”-s, por edhe vrasjet e bujshme të disa prej tyre. Organizimi Celula e parë është e përbërë nga “familja”, një strukturë me bazë territoriale që kontrollon një zonë të qytetit apo një qendër të tërë të banuar, nga ku merr dhe emrin. Familja është e përbërë nga “burra nderi” ose “ushtarë” të koordinuar dhe udhëhiqet nga një shef i zgjedhur i quajtur edhe “përfaqësuesi”, i cili pasohet nga një “zv/shef” dhe nga një ose më shumë “këshilltarë”. Nëse ngjarje të rastit bëjnë të pamundur zgjedhjen normale të shefit nga anëtaret e familjes, “komisioni” organizon emërimin e “anëtarëve të këshillit” që të administrojnë përkohësisht familjen deri në kohën e zgjedhjeve në normale. Aktiviteti i familjeve koordinohet nga një organizëm kolegjial i quajtur “komisioni” ose “kupola”, ku bëjnë pjesë përfaqësuesit e tre a më shumë familjeve të afërta. Komisioni drejtohet nga njëri prej përfaqësuesve të familjeve. Komisioni ka një rreze veprimi të gjerë, si dhe ka detyrën për të siguruar respektimin e rregullave të “Cosa Nostra”-s brenda secilës familjeje, e mbi të gjitha, të zgjidhë konfliktet ndërmjet familjeve. Mafia italo-amerikane “Cosa Nostra” amerikane u themelua në fillim të shekullit të kaluar dhe u pasurua në dy dekadat e para. Ajo lindi për dy arsye: Emigrimi në SHBA i një numri të madh italianësh, midis të cilëve kishte dhe nga ata që ishin marrë me krime. Por edhe për shkak se shumë mafiozë nga Sicilia për t’i shpëtuar ligjit në Itali u detyruan të shkonin në SHBA. Një rol të madh në largimin e tyre pati Mori, prefekti i Palermos, gjatë periudhës fashiste, i cili i persekutoi për një kohë të gjatë. Kjo organizatë varej në mënyrë të drejtpërdrejtë nga “Cosa Nostra” siciliane dhe janë 5 familjet në Amerikë që mbanin kontakt të ngushte me krerët në Itali, familja Bonano, Lukese, Kolombo, Xhenovese dhe Gambino.
Mënyrat e vrasjeve Kanë për detyrë të pajisen me të gjitha armët e nevojshme, të realizojnë skemat e përkryera për ekzekutime të përgjakshme, por e rëndësishme është që gjithçka të përfundojë ashtu siç e kanë llogaritur ata. Rëndësi ka që ai person që ka tentuar të shkelë në rrugën e familjeve të mëdha të “Cosa Nostra”-s t’i mbyllë sytë një herë e përgjithmonë. Organizimi është i përkryer, armët gjithashtu dhe janë të rralla rastet kur aksioni i vrasjeve nga mafiozët kanë dështuar. Betimi i tyre duhet të shkojë në vend dhe bosi i bosëve duhet të marrë pa tjetër lajmin që objektivi i vënë në shënjestër është vrarë. E në fakt kështu ndodhi fillimisht me Pio La Torre-n, i cili u ekzekutua nga dy persona me dhjetëra plumba pistolete. Edhe Xhovani Falkone i mbylli sytë përgjithmonë bashkë me gruan e tij, por me një mënyrë tjetër. Toto Riina urdhëroi vrasjen e tij, por në një mënyrë çnjerëzore. Një minë me telekomandë e shndërroi në gërmadhë vendin ku po kalonte makina e tij. E vetëm pak javë më pas u “hoq qafe” edhe kolegu e miku i tij më i ngushtë, Paolo Borselino. Toto Riina dhe Salvatore Biondina urdhëruan vrasjen e Borselinos bashkë me 5 oficerë policie. Vrasjet brenda mafies Prishja e aferave, konkurrenca, apo edhe dëshira për të ulur dikë e për të zënë vendin e tij, bënë që shumë bosë të mafies në vitet ’80 të “hiqnin qafe” njëri-tjetrin. Në atë kohë kishte shumë rivalitet mes tyre, kryesisht në familjen Korleone. Padyshim jo vetëm vrasjet e njerëzve të shtetit, kryesisht të drejtësisë, u cilësuan të bujshme në Amerikë. Me një bujë të jashtëzakonshme u shoqëruan edhe ekzekutimet e njerëzve të pushtetshëm, por që nuk ishin pjesë e shtetit. Ishin bosë të mafies. I tillë ishte edhe Mikele Nevarra, bosi i familjes Korleoneze apo edhe Mikele Kavataio e më vonë edhe Stefano Bontada i “Cosa Nostra”-s amerikane, të cilët u ekzekutuan nga rivalë të tyre. 1. Familja “MAZARA DEL VALLO” Familja më e madhe mafioze në Itali, në vitin 1970 ishte “Mazara Del Vallo”. Ajo drejtohej nga bosi Mariano Agata, 65 vjeç, i cili në atë kohë kishte marrë emrin “Zoti i ligësisë”. Ai zëvendësoi bosin e vjetër Mariano Licari, i cili gjithashtu mbahej mend si urdhëruesi më i madh i vrasjeve në atë kohë. Në vitin 1985 Agata u mbështet me shumë forcë nga faktori “Korleone” dhe kthehet në personin më të rëndësishëm për Toto Riina-n. 2. Familja “ÇINISI” Është cilësuar si familja më e madhe mafioze e “Cosa Nostra”-s amerikane. “Çinisi” drejtohej nga Badalamenti Gaetano ose siç quhej ndryshe “Don Tano”. Ai filloi të drejtojë këtë familje menjëherë pas vrasjes së ish-bosit Cesare Manzella, në vitin 1963. Në vitet ’70 dhe ’80, së bashku me Stefano Bontadën dhe Mikele Grekon kishin krijuar të ashtuquajturën “Triumvirat” të
“Cosa Nostra”-s. “Don Tano” u arrestua në nëntor të vitit 1984 dhe vuajti dënimin në SHBA derisa vdiq, në vitin 2002, në moshën 79-vjeçare. 3. Familja “GUADAGNA” Masakra e “Capacit” ka si autorë anëtarët e familjes mafioze “Guadagna”, me në krye bosin e saj, Pietro Aglieri, i njohur si “Gentleman-i i vogël”. Ai u kthye në drejtues të kësaj familjeje në vitin 1988, menjëherë pas vrasjes së Giovanni Bontade-s, falë edhe një miqësie me Toto Riina-n. Në fillim të vitit 1990 ai komandoi disa vrasje të bujshme. Është arrestuar më 6 qershor të vitit 1997 dhe është dënuar disa herë me burgim të përjetshëm. 4. Familja “MANDAMENTO” Një ndër bosët më të fuqishëm të “Cosa Nostra”-s italiane në vitin 1999 ishte Agostino Badalamenti. Ai ishte në krye të familjes “Mandamento” në varësi direkte të bosit të bosëve Bernadro Provenzano. Në vitin 1979, kur ishte vetëm 18 vjeç, ai u dënua me 20 vjet burg, pasi u deklarua fajtor për disa vrasje në provincën e Mesinas. Por menjëherë pasi doli nga qelia, ai u kthye në krye të familjes “Mandamento”, duke u bërë një nga mafiozët më të fuqishëm të asaj kohe në Itali. 5. Familja “GAMBINO” Një prej gangsterëve më të mëdhenj që kanë sunduar në Nju Jork, John Gotti, dëshironte gjithnjë që të bëhej një njeri i mençur. Në moshën 16-vjeçare ai ishte pjesë e një bande rruge të njohur “Fulton-Rockaëay Boys” që vidhte makina. Në vitet ’70 ai u bë kapo i trupës “Bergin”, një pjesë e familjes “Gambino”. Jashtë mase ambicioz, Gotti u përzje me drogë, gjë e ndaluar kjo nga familjet. Pas shumë tentativash, autoritetet arritën ta dënonin atë në vitin 1992 për vrasje. 6. Familja “Bonano” Joseph Bonano u largua nga Italia për shkak të regjimit të Musolinit në vitin 1920. Fillimisht u ndalua në Kubë për të kaluar më pas në SHBA. Atje iu bashkëngjit mafies në mënyrë që të parandalonte Musolinin që të merrte Sicilinë. Ai u bë i fuqishëm në Nju Jork. Planet e tij për të eliminuar gjithë familjet rivale u kthyen kundër tij, kur Bonano-n e rrëmbyen për 19 ditë deri sa ai pranoi të hiqte dorë. Përpara se ai të vritej nga Luciano, krijoi familjen “Bonano”, organin sundues mbi familjet mafioze në gjithë vendin. 7. Familja “TOMMASO NATALE” Salvatore lo Piçolo, i njohur si “Dhelpra e Bardhë” në vitin 1980 u shndërrua në bosin më të fuqishëm të “Cosa Nostra”-s dhe i dytë në Sicili pas Bernardo Provenzano-s. Ai ishte bosi i familjes “Tommaso Natale” pas vitit 1970. Djali i tij, Sandro, 30 vjeç, u kthye në bosin e dytë të
kësaj familjeje në vitin 1999. Pas 25 vitesh në kërkim nga drejtësia italiane, ai arrestohet së bashku me të birin, më 5 nëntor 2007. 8. Familja “BAGHERIA” Bosi i përjetshëm i familjes mafioze “Bagheria” ishte 68-vjeçari Leonardo Greco. Ai zëvendësoi kreun e kësaj familjeje, Antonio Mineo, menjëherë pasi ai u vra në vitin 1989. Në vitin 1970 ai bashkëpunoi me Berdanrdo Provenzanon, këshillat e të cilit e ndihmuan edhe për drejtimin e kësaj familjeje të madhe mafioze. Si bos i kësaj familjeje në Sicili ai drejtoi trafiqet më të mëdha të drogës, duke përfshirë këtu “Pizza Connection dhe “Iron Toëer”. 9. Familja “RESUTTANA” Gjatë viteve 1981-1983 “Resuttana” u kthye në familjen më të madhe mafioze, duke u mbështetur fort nga “Korleone”-t. Kjo familje u drejtua nga Francesco Madonia ose siç quhej ndryshe “Don Ciçio”, 80 vjeç. Ai u dënua me vdekje për dhjetëra vrajeve të kryera në vitin 1986, por familja “Resuttana” filloi të udhëhiqej nga trashëgimtari i tij, Diego. Në fakt ai ishte vëllai i tij, i cili trashëgoi pushtetin dhe idetë e “Don Ciço”-s. 10. Familja “CALTANISSETTA” Familja “Caltanissetta” në vitin 1975 ishte familja më e madhe mafioze në provincën me të njëjtën emër. Ajo drejtohej nga Francesco di Cridtina, i cili vdiq në vitin 1963 dhe trashëgimtari i tij, i biri Giuseppe di Cridtina, u shndërrua në bos të saj duke u shndërruar në njeriun më të fuqishëm. Aq sa mori nofkën “Tigri” dhe u bë bosi i bosëve. Ai u urrye shumë shpejt nga “Korleone”, pasi kishte mbështetur armikun e tyre Bontade, të “Cosa Nostra”-s amerikane. 11. Familja “VALLELUNGA” Vrasja e bosit të familjes “Vallelunga”, Francesco Madonia, në vitin 1978, vuri në krye të mafies të birin e tij, Giuseppe-n, i njohur me nofkën “Piddu”. Ai pati gjithmonë mbështetjen faktorin “Korleone”, i cili i dha fuqi edhe më të madhe, duke e shndërruar në njeriun më të pushtetshëm në botën e mafies në atë periudhë. “Piddu” u arrestua më 6 shtator të vitit 1992 në Veneto, ku kishte krijuar lidhje mjaft të forta me familjet e tjera mafioze. 12. Familja “Trapani” Një nga familjet më të mëdha mafioze të vitit 1982 ishte familja “Trapani”, e cila drejtohej nga bosi Salvatore Minore. Menjëherë pas vrasjes së tij, kjo familje u fuqizua akoma më shumë me ardhjen në krye të saj të 67-vjeçarit Vincenzo Virga. Gjithçka i eci më së miri deri në vitin 1990, kur bosi i saj u fut në telashe të mëdha me familje të tjera mafioze. Virga u arrestua më 21 shkurt
të vitit 2001, pas shumë vitesh që ishte i shpallur në kërkim. Bosi i familjes u bë djali i tij, Pietro, 39 vjeç. 13. Familja “CORSO CALATAFIMI-ROÇELLA” Familja mafioze “Corso Calatafimi-Roçella” pati kohën e lulëzimit të saj dhe u fuqizua së tepërmi kur drejtohej nga “Doktori”, siç quhej ndryshe Giuseooe Guttadauro. 56-vjeçari nga provinca e Trapanit, ishte bosi më i fuqishëm i saj. “Corso Calatafimi-Roçella” pati një mbështetje të madhe edhe nga Provenzzano dhe dy familje të tjera mafioze të kësaj province. Guttadauro u arrestua në vitin 2002 dhe vendin e tij tashmë e ka zënë 74-vjeçari Lorenzo di Fede. 14. Familja “MISTRETTA” Familja më e madhe mafioze e provincës së Messina-s në Itali, ishte familja “Mistretta”. Ajo u fuqizua së tepërmi duke u kthyer në ortaken më të rëndësishme për shumë familje të mëdha mafioze në kohën kur drejtohej nga 58-vjeçari Sebastiano Rampulla, i njohur si “Xhaxha Bastiano”. Gjithashtu kjo familje u kthye ndër më të rëndësishmet e komisionit të “Cosa Nostra”-s. Vëllai i bosit të kësaj familjeje, Pietro, u përfshi në vrasjen e Falcone-s dhe u dënua me burgim të përjetshëm. 15. Familja “SAN MAURO CASTELVERDE” “Babai i madh” është quajtur ndryshe bosi i familjes së madhe mafioze “San Mauro Castelverde”, 82-vjeçari Giuseppe Farinella. Ai mori drejtimin e kësaj pjesë shumë të rëndësishme të “Cosa Nostra”-s italiane në vitin 1975, menjëherë pas vrasjes së babait të tij, Mario Farinella, “babai i mirë i madh”. Kjo familje nën drejtimin e Farinella-s kryente shërbimet më të rëndësishme të “Cosa Nostra”-s. Toto Riina e kishte renditur këtë familje ndër të parat për të për nga rëndësia. 16. Familja “BARRAFRANCA” Në provincën e Enna-s në Itali, në vitin 1970 u fuqizua së tepërmi familja mafioze “Barrafranca”. Kjo familje u bë edhe më e rëndësishme për rrjetin e “Cosa Nostra”-s kur bos i saj ishte 55-vjeçari Raffaele Bevilacqua, ose siç quhej ndryshe “Gënjeshtari”. Bosi i kësaj familje u shndërrua në njeriun kyç të mafias, në kohën kur bashkë me Provenzano-n filluan të thurnin plane për të hequr qafe Falkone-n dhe Borsellino-n. 17. Familja “SANTAPAOLA” Familja më e fuqishme mafioze e Catania-s në Itali u shndërrua familja “Santapaola” në vitin 1994, kur drejtohej nga 45-vjeçari Umberto Di Fazio. Ai u kthye në bos të kësaj familje
menjëherë pas arrestimit të Benedetto Santapaola-s, në vitin 1993. Di Fazio krijoi lidhje të forta me politikanë të mëdhenjtë të Italisë, duke e fuqizuar edhe më shumë familjen që ai drejtonte. Madje kjo familje nën drejtimin e tij e shtriu rrjetin e saj edhe jashtë Italisë. 18. Familja “PORTO EMPEDOCLE” Familja mafioze më e madhe në Sicili, në vitin 1986 ishte familja “Porto Empedocle”, e cila drejtohej nga bosi i saj Luigi Putrone. 44-vjeçari kishte urdhëruar disa vrasje të rëndësishme në atë kohë, si ato të gjyqtarëve Seatta dhe Livatino dhe në këtë mënyrë ishte shpallur në kërkim nga drejtësia italiane. Madje ai u arrestua dhe në vitin 1990 u dënua me burgim të përjetshëm. Ai ishte një nga bosët më të fuqishëm të provincës së Agrigento-s. 19. Familja “Pagliarelli” Një nga familjet më të vjetra mafioze të Italisë, e cila daton që në vitin 1800, ishte familja “Pagliarelli”. Kjo familje drejtohej nga 46-vjeçari Giovani Motisi në vitin 1993, i cili ishte nipi i Matteo Motisi-t që u vra në vitin 1998. Ky i fundit ishte personi më i rëndësishëm që ka drejtuar këtë familje dhe madje edhe për “Cosa Nostra”-n. Ishte personi më i besuar i Riina-s dhe konsiderohej si bosi i dytë më i fuqishëm i Palermos pas Lo Piçolo-s. 20. Familja “Altofonte” Domenico Raçuglia, 39-vjeç, është konsideruar bosi më i ri i familjeve mafioze. Ai ka qenë dhe është në krye të familjes “Altofonte” që nga viti 1995. Ndërkohë ai kishte mbështetjen e San Giuseppe Jato-s, i cili ishte njeriu më i pushtetshëm i provincës së Palermos në atë kohë. Në vitin 1990 ai zëvendësoi Brusca-n në krye të “Mandamento”-s. Ai është cilësuar si bosi më i dhunshëm i të gjitha kohërave. 21. Familja “Genovese” Ndër tre familjet më të mëdha mafioze të Amerikës, ishte edhe ajo “Genovese”. Madje gjyqi “Komisioni”, që u zhvillua në në tetor të vitit 1986, rezultoi me dënimin e bosit të “Colombo”-s, Carmine Persico, bosit të “Luchese”-s, Anthony Coralle dhe bosit të “Genovese”-s Anthony Salerno. Ky i fundit e drejtoi këtë familje nga viti 1970 e deri në momentin që u arrestua. “Fat Tony”, sicc e thërrisnin “kolegët”, e ktheu këtë familje ndër më të fuqishmet në botën e mafies. *
*
*
*
*
Nga “Cosa Nostra” italiane e amerikane, te “Triadi” kinez, “Carteli” kolumbian e mafia ruse
24 organizatat mafioze më të rrezikshme Si funksionojnë dhe si bashkëpunojnë me njëra-tjetrën 1. “COSA NOSTRA” italiane Është themeluar në fillim të shekullit XVI në Sicili, megjithatë lindja e kësaj organizate i atribuohet viteve të Luftës së Dytë Botërore, kur amerikanët ndihmuan ringritjen e mafies në Sicili. Shefat historikë të “Cosa Nostra”-s siciliane kanë qenë Vito Kashio Ferro, Kaloxhero Vicini, Mikele Navarra, Luciano Lixhio, Mikele Greko, Gaetano Badalamenti, Stefano Bontade, Salvatore Riina, Bendeto Santapaola, Bernardo Provenzano.
2. “CAMORRA” Kjo organizatë është themeluar nga mesi shekullit XVI në Napoli. Fjala “Camorra” dikur kishte kuptimin e një takse që paguhej nga pronarët e lokaleve për të siguruar mbrojte. Këto të dhëna i përkasin Mbretërisë së Napolit dhe datojnë më 1735. “La Camorra” aktualisht vepron në 111 vende (përfshirë këtu qytete dhe provinca). Struktura e saj është e ngjashme me atë të “Cosa Nostra”-s, ku çdo familje zotëron një zonë të caktuar. 3. “NDRAGHETA” Kjo organizatë e ka selinë në Kalabri. Përbëhet nga 144 organizime me 5600 anëtarë. Ajo e realizon kontrollin e saj në territorin kalabrez falë lidhjeve mafioze të quajtura “Ndrine”. Ka një strukturë të dukshme horizontale, ekzistojnë lidhje të ngushta midis grupeve të ndryshme, por nuk ka një qendër drejtuese rajonale apo provinciale. “Ndrangeta” ka kryer dy vrasje të ashtuquajtura të mëdha, në gusht të vitit 1991. 4. “SACRA CORONA UNITA” Nuk është e vetmja organizatë mafioze në Pulia të Italisë, por pa asnjë dyshim është më e rëndësishmja dhe më e madhja. Selinë qendrore e ka në Pulia. Fillimet e saj i ka në vitet ‘80 dhe sot është organizimi më i fuqishëm. Përbëhet nga 7 organizata dhe 47 familje dhe me rreth 1755 anëtarë, kryesisht në provincën e Brindizit, Leçes dhe Torontos. Është një organizim i ri në krahasim me organizimet e mëparshme të mafies.
5. “STIDDA”
Organizata “Stidda” është themeluar në Sicili, por nuk ka asgjë të përbashkët me “Cosa Nostra”n siciliane. Ngjason më shumë me “Sacra Corona Unita” me qendër në Pulia. Anëtarët e saj nuk janë vetëm italianë, por edhe shqiptarë, afrikanë dhe aziatikë. Madje janë të anëtarësuar edhe rusë. Merret kryesisht me trafik droge, shfrytëzim prostitucioni, trafik armësh dhe deri diku me pastrim parash. Anëtarët e kësaj organizate kanë kryer disa vrasje, të cilat nuk kanë pasur bujën e vrasjeve të organizuara nga “Cosa Nostra”. 6. “ORGANIZATSYA” Kjo organizatë, e cila vepron edhe sot, i ka fillimet që në kohën e ish-Bashkimit Sovjetik dhe ndahet në 3 nivele: Grupe të vogla të përbëra nga 10 deri në 15 persona, të pavarur në mënyrë direkte nga krerët e mafies, brigadat e mëdha që përbëhen nga 200 deri në 300 persona, të cilët drejtojnë grupet e vogla dhe të ashtuquajturit “vjedhësit e ligjit”, që janë rreth 150 veta. Ata kanë pushtet ekonomik dhe politik. Mafia ruse merret më shumë me trafik droge dhe armësh. 7. “NEOMENKLATURNAJA” Interpretimi i fenomeneve mafioze në Rusi do të duhej vendosur në një kontekst më të gjerë analizash mbi të ashtuquajturën “Nomenklaturnaja privatizacija” (kjo do të thotë privatizim në shërbim të nomenklaturës), falë së cilës, eksponentë të nomenklaturës së lartë dhe të mesme të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik kanë arritur, në pjesën më të madhe, që gjatë viteve të tatëpjetës dhe rrëzimit të regjimit komunist (1986-1992) të shndërrohen në kapitalistë dhe pronarë të rinj. 8. “YAKUTSA” Çdo bandë mafioze në Japoni quhet “Yakutsa”, por drejtohet nga krerë të ndryshëm. Në traditën e saj spikasin rituale shumë të vjetra si shumë kohë para viteve ’90. Riti i Sakazukishiki-t, është ceremonia e pranimit të çdo anëtari të ri, i cili betohet për besnikëri dhe devotshmëri duke pirë sakë nga gota e kryetarit. Riti i Irezumi-t ose tatuazhi, i cili duke qenë se është i ndryshëm për çdo bandë, dëshmon përkatësinë e anëtarëve të bandave.
9. “COSA NOSTRA” amerikane U themelua në fillim të shekullit të kaluar dhe u pasurua në dy dekadat e parë. Ajo lindi për dy arsye: Emigrimi në SHBA i një numri të madh italianësh midis të cilëve kishte dhe nga ata që ishin marrë me krime, dhe për shkak se shumë mafiozë nga Sicilia për t’i shpëtuar ligjit në Itali u detyruan të shkonin në SHBA. Janë 5 familje në Amerikë që mbanin kontakte të ngushta me krerët në Itali: Familja Bonano, Lukese, Kolombo, Xhenovese dhe Gambino, ku dy të fundit marrin pjesën me të madhe të fitimeve.
10. “SOLMCEVO” Është një organizatë mafioze ruso-aziatike, e cila funksionon kryesisht në Hungari, Republikën Çeke, Gjermani, Austri, Belgjikë, Itali, SHBA, Kosta Rika, Izrael, por edhe në shumë vende të tjera të Azisë së Jugut. Është një organizatë që për nga ashpërsia konkurron me “Cosa Nostra”-n dhe “Camorra”-n. Merret kryesisht me trafik armësh, qeniesh njerëzore dhe droge. Kriminaliteti ruso-aziatik është tashmë i specializuar në trafikun e heroinës që vjen nga “Trekëndëshi i Artë”. 11. “MOGILEVIC” Organizata “Mogilevic” është grupimi më i fortë i mafies në Hungari, Budapesti është baza operative e kësaj organizate. Rrjeti i saj është i shtrirë në Ukrainë, Republikën Çeke, Izrael, SHBA, Karaibe, etj. Kjo organizatë mafioze, e cila ka ndikim ruso-aziatik ka perfeksionuar metodat për riciklimin e kapitaleve të paligjshme dhe është në avangardë në përdorimin e transportit të naftës, metaleve joferrikë dhe materialeve strategjike. 12. “IVAN KOV” Është një organizatë tipike mafioze ruse, por që funksionon më tepër jashtë kufijve të Rusisë, madje shumë larg. Organizata “Ivan Kov” e ka shtrirë rrjetin e saj kryesisht në SHBA dhe Karaibe. Kjo organizatë ka instaluar baza operative për trafikimin e heroinës nga Hong Kongu, Singapori dhe Bangkoku, ku bashkëpunon me “Triadë”-n kineze. Heroina transportohet nëpërmjet ajrit nëpër Lindjen e Largët, në Azinë Qendrore dhe kështu, me tokë, përmes Pakistanit, Uzbekistanit, etj. 13. “XXI SECOLO” Është një organizatë mafioze ruso-aziatiko-italiane dhe ka lidhje të forta me mafien gjermane, amerikane, izraelite dhe qipriote. Kjo organizatë vazhdon të shtrijë praninë e saj ende jashtë kufijve të Federatës Ruse, madje edhe jashtë kufijve të vetë CSI-së, në tregun e ligjshëm dhe të zi të rajoneve të ndryshme të botës, Evropë Qendrore dhe Lindore (ku dominon bota e krimit), Evropë Perëndimore, SHBA, Afrikë, Amerikë Qendrore dhe Jugore, Lindje e Afërt dhe e Largët. 14. “CERNOJ” Është organizata mafioze ruse më e frikshme e gjithë Evropës. Ajo funksionon në Britaninë e Madhe, Zvicër, Izrael, Montekarlo e deri në SHBA. Trafiku i fëmijëve është specialiteti i kësaj organizate, por jo më pak janë edhe vrasjet dhe ekzekutimet makabre. Kjo mafie ruse merret me shitjen dhe blerjen e foshnjave dhe shërbimi i fshehtë gjerman thotë se ka të dhëna se organet e fëmijëve lypsarë të vrarë nga mafia ruse janë dërguar me dokumente të falsifikuara në klinikat e vendeve perëndimore.
15. “TRIAD” Në shqip do të thotë treshe, është organizata më e fuqishme mafioze për trafikun e drogës. “Triad”-a kineze është marrë si shembull konkurrimi për mafien ruso-aziatike. Anëtarët e kësaj organizate kanë instaluar baza operative për trafikimin e heroinës në Hong Kong, Singapor dhe Bangkok. Fillesat e kësaj organizate mund të themi që janë më të lashtat në krahasim me të gjitha mafiet e tjera, ato datojnë që në vitin 1760. 16. “CARTEL” Është cilësuar si organizata më e fuqishme në trafikun e kokainës. Kjo organizatë mafioze është formuar në vitet 1970-1980 nga Madellin Cartell në Kololumbi. “Kartelet” kolumbiane janë rrjeti më i fuqishëm i transportit të kokainës jugamerikane, të destinuar për tregun evropian dhe atë të ish-Bashkimit Sovjetik, për të cilin SHBA shërben si pikë tranziti. Kohët e fundit është vënë re se me këtë organizatë të fuqishme mafioze ka lidhje edhe e ashtuquajtura mafie shqiptare.
17. “IZMAJLOVO” Në mafien ruse nuk mungojnë shembujt të lidhjes së ngushtë ndërmjet pushtetit politik dhe strukturave mafioze, të zbuluara nga hetimet ligjore. I tillë është rastin Aleksej Iljusenko, ishProkurorin e Përgjithshëm, i akuzuar se ka favorizuar shoqërinë e naftës “Balkan Trading”. Do të mund të përmendej edhe lidhjet ndërmjet ish-zv.kryeministri Oleg Soskovec dhe ish-ministri i Sportit Samil Tarpisev me grupin kriminal “Izmajlovo” dhe me vëllezërit Cernoj. 18. “MAZUTKINO” Është një organizatë ruso-aziatike që merret kryesisht me trafikun e armëve, drogës, gurëve të çmuar dhe qenieve njerëzore. Rrjeti i saj është i shtrirë në Poloni, Austri, Gjermani, Lihtenshtein, Zvicër, Montekarlo, Itali, SHBA, etj. Nga faktorët konkurrues dhe frenues të mafies rusoaziatike, si një nga protagonistët kryesor në tregun e heroinës është ekspansioni galopant i kultivimit të bimës së hashashit në vendet ish-sovjetike të Azisë Qendrore. 19. “RUDAJ” Aleks Rudaj është kreu i një bande shqiptare që jeto në Bronx të Neë Yorkut. Banda e tij njihej sidomos në fushën e manipulimit të basteve. Banda u krijua rreth vitit 1993 dhe fuqia e saj arrin kulmin në fillimin e viteve 2000. Sipas hetuesve amerikanë, veprimtaria e tyre ka filluar në distriktin e Bronxit dhe më pas është zgjeruar edhe në të tjerët. Një nga karakteristikat e kësaj organizate, ishte fakti që ajo ishte e dhunshme.
20. “MAFIA E ZEZË” U krijua nga Demetrius Flenory dhe vëllai i tij, Terry. Kjo bandë e filloi aktivitetin e saj kriminal duke shitur doza të vogla kokaine në rrugët e Detroitit gjatë viteve ’80 dhe përfundimisht u zhvillua brenda gjithë vendit dhe jashtë SHBA-së. Investigimi dyvjeçar i federalëve konkluduan se anëtarësimi i saj është gjithëpërfshirës. Banda ka marr goditjen e saj më të madhe në vitin 2005, ku gjatë një aksioni të DEA u arrestuan 30 persona që dyshohej të ishin pjesë e “Familjes së Mafias së Zezë”. 21. “MAFIA E ZEZË”, FILADELFIA Në vitet 1980 disa të rinj të afërm me njëri-tjetrin krijojnë grupin “Mafia e të rinjve zezakë”. Ajo kontrollonte gangsterët xhamajkanë, të cilët kishin kontrollin e trafikut të kokainës në Filadelfia të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Njësoj si më të vjetrit, ata ishin tmerrësisht të dhunshëm dhe të mësuar me frikësimin e dëshmitarëve dhe vrasjeve. Lideri i saj, Aaron Jones ka vdekur në Pensilvani. 22. MAFIA TURKE Është quajtur si një organizatë kriminale shumë e fuqishme. Mafia turke ka pasur në kontroll një pjesë të madhe të trafikut të heroinës në të gjithë botën. Mafia turke disa herë ka qenë bashkëpunëtore me mafian ruse, dhe pak me mafian italian. Ashtu si organizatat simotra edhe mafia turke operonte më tepër në trafikimin e lëndëve narkotike, por edhe të “mishit të bardhë”, siç njihet në gjuhën e mafias.
23. “HARLEM” Shumë pak dihet për bandën e famshme të Harlemit, që operonte në Neë York. Pothuajse e gjithë organizata kriminale e Harlemti gjatë kohës së depresionit të madh, kontrollohej nga italianët, çifutët dhe gangsterët irlandezë. Ata patën lirinë për shkak të gjendjes ekonomike të krijuar në ato vite. Aktiviteti i saj ishte në kumar, prostitucion dhe drogë. Harlemi ishte një lagje e Neë Yourkut, dhe në atë periudhë ka qenë ndoshta më aktivja, kudo në rrugë gjeje gangstera. 24. “MAFIA IRLANDEZE” Mafia irlandeze është një nga organizatat më të vjetra kriminale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe ka ekzistuar që nga fillimi i shekullit të 19 deri në ditët e sotme. Origjina e saj ishte në lagjen amerikanë të irlandezëve, dhe më pas banda irlandeze u përhap në të gjitha qytetet kryesore të Amerikës, duke përfshirë Boston, Neë Yorl, Çikago, Neë Orleans, Filadelfia dhe Atlantik Siti.
*
*
*
*
*
Nga bosi i “Cosa Nostra”-s Nevarra, te Falkone e Borselino Vrasjet më të bujshme të realizuara nga mafia Kushdo që u mundua dhe tentoi të hidhte pak dritë, apo të kryqëzonte “Cosa Nostra”-n pati një fund tragjik. Mafia organizoi vrasjet më të bujshme kundër atyre që tentuan të “fusin hundët” në punët e bosëve të mëdhenj. Por jo vetëm për ata. Madje ekzekutimet më të mëdha fillojnë me vetë bosët e “Cosa Nostra”-s, si Mikele Nevarra apo Mikele Kavataio. Më pas vrasje të bujshme u cilësuan ekzekutimi i Xhovani Falkone-s, Paolo Borselino-s, Roko Kiniçi-t, Pio la Torre-s, Salvo Lima-s, Karlo Alberto Dala Kieza-s, Gaetano Kosta-s, Xhuzepe Montanaa-s, etj. Dikush apo shumëkush, nuk dëshironte që dy prokurorët, Falkone dhe Borselino të ecnin më tej në punën e tyre, sepse ata kishin filluar të ecnin në “tokë të ndaluar”, sepse kishin filluar të preknin interesa deri atëherë të paprekshme, sepse shikonin se ata nuk ndiheshin vetëm. Më parë “rrëzohet” Falkone, më 23 maj 1992, dhe pas tij, në kuadrin e 56 ditëve, më 19 korrik 1992, do të vinte radha e Paolo Borselinos dhe rojeve të eskortës, Agostino Catalano, Valter Kosima, Vincendo Li Muli, Emanuela Loi dhe Klaudio Traina. Për ekzekutimet e tyre u akuzuan Toto Riina dhe Salvatore Biondino. Ndërsa personi që ka shtypur telekomandën për vrasjen e Falkones është Xhovani Bruska, i cili është arrestuar dhe është kthyer në bashkëpunëtor të drejtësisë. Arrestimet Edhe pse janë arrestuar dhjetëra anëtarë të mafias si në Itali ashtu edhe në SHBA, edhe pse shumë prej tyre janë kthyer në të penduar të drejtësisë dhe kanë treguar gjithçka, kanë nxjerrë emra, fakte, kanë dhënë dëshmi mjaft të çmuara për drejtësinë, përsëri duket se kësaj organizate të frikshme nuk i vjen asnjëherë fundi. Shefat historikë të “Cosa Nostra”-s siciliane kanë qenë Vito Kashio Ferro, Kaloxhero Vicini, Mikele Navarra, Luciano Lixhio, Mikele Greko, Gaetano Badalamenti, Stefano Bontade, Salvatore Riina, Bendeto Santapaola, Bernardo Provenzano, por edhe shumë të tjerë, që janë arrestuar apo ekzekutuar. Vrasjet mes anëtarëve të mafias kanë qenë në rastet më të shumta mes “Cosa Nostra”-s italiane dhe asaj amerikane, apo siç quhej ndryshe, “Triumvirat”. Kjo organizatë u krijua në vitet ’70 dhe ’80 nga Badalamenti Gaetano, së bashku me Stefano Bontadën dhe Mikele Grekon kishin krijuar të ashtuquajturën “Triumvirat” të “Cosa Nostra”-s. 1. EMANUELE BAZILE Emanuele Bazile ishte karabinieri më i respektuar dhe më i zoti i Monrealit, i cili u vra nga anëtarët e “Cosa Nostra”-s më 4 maj të vitit 1980, teska ishte duke u kthyer nga një festë për në shtëpi, së bashku me gruan Silvanën dhe vajzën dyvjeçare, Barbaran. Bazile kishte zbuluar prova
dhe dëshmi të forta për rrjetin dhe aktivitetin e “Cosa Nostra”-s dhe nëse mafia nuk do ia kishte prerë në mes këtë nismë karabinierit 31-vjeçar, ai premtonte arrestime mjaft të bujshme të bosëve të mëdhenj të mafias.
2. GAETANO KOSTA Prokurori i Famshëm i Palermos në vitet ’80-të, Gaetano Kosta, ekzekutohet vetëm disa ditë para se të kryheshin disa arrestime mjaft të rëndësishme të bosëve të “Cosa Nostra”-s, për të cilët ai kishte siguruar provat e nevojshme dhe kishte prerë fletë-arrestet. Ai vritet mëngjesin e 6 gushtit të vitit 1980, vetëm disa hapa larg shtëpisë së tij, i qëlluar katër herë nga pistoletat e dy “killer”ve. Ekzekutimi i tij u argumentua me faktin se sapo kishte lëshuar një urdhër arresti për bosin e madh të “Cosa Nostra”-s, Rosario Spatola.
3. PIO LA TORRE Pio la Torre ishte një polic i thjeshtë sicilian që kërkonte të luftonte mafian me çdo kusht. Ai ka lindur në provincën e Palermos më 24 dhjetor të vitit 1927. Për La Torren mafia përbënte një rrezik të madh jo vetëm për Italinë, por për të gjithë Mesdheun. Por ai filloi të gërmonte shumë, aq sa bosëve të “Cosa Nostra”-s nuk u pëlqeu dhe kërkuan ta hiqnin qafe. Kështu mëngjesin e 30 prillit të vitit 1982, teksa La Torre së bashku me një kolegun e tij po ndiqnin një makinë të dyshimtë, afër makinës së tyre afrohen dy motorë dhe i qëllojnë për vdekje.
4. KARLO ALBERTO DE LA KIEZA Dela Kieza, ishte cilësuar si gjenerali perfekt. E nëse nga populli i thjeshtë dhe pushtetarët e ndershëm italianë ai shihej me sy të mirë, jo të njëjtat përshtypje linte për mafian. De la Kieza kishte nisur të zbulonte një sistem ryshfeti që për shume vite kishte mbajtur të shtrënguar ekuilibrat ndërmjet politikanëve të korruptuar, afaristëve dhe majës së “Cosa Nostra”-s. Kjo bëri që ai të ekzekutohej në një atentat mafioz më 3 shtator të vitit 1982.
5. ROKO KINIÇI Roko Kiniçi ishte shefi i Paolo Borselinës, kur në vitin 1975 ai emërohet hetues në Prokurorinë e Palermos. Bërthama antimafie e Prokurorisë së Palermos në atë kohë përbëhej nga katër
prokurorë, Borselino, Falkone dhe Barrile, të cilët punonin përkrah njëri-tjetrit, duke dhënë në punë gjithçka, profesionalizmin e tyre, nën drejtimin mjeshtëror dhe kurajoz të shefit të hetuesisë, Roko Kiniçi. Kështu shefi i hetuesisë u vra më 4 gusht të vitit 1983, së bashku me rojet, me një autobombë.
6. XHUZEPE MONTANA Komisari Xhuzepe Montana ishte dirigjenti i skuadrës speciale antimafia të Palermos. Ai ishte cilësuar si një investigator i vendosur i kriminalitetit të mafias. Bashkë me mikun e tij, Antonio Kasara, ai kishte drejtuar disa operacione të suksesshme, të cilët kishin vënë në pranga dhjetëra bosë të mafias. Katër ditë pasi kishte kryer arrestimet e rëndësishme, teksa Bepe Montana ndodhej në plazh me shoqërinë dhe të fejuarën, më 28 korrik të vitit 1985 ai vritet në një atentat mafioz.
7. SALVO LIMA Salvo Lima ishte një politikan sicilian, i cili u ekzekutua nga mafia. I ati i tij ishte një mafioz, por ky nuk arriti të ndiqte plotësisht rrugën e tij. Kjo gjë nuk i pëlqeu as mafias, por edhe prokuroria s’e kishte me sy të mirë, pasi Lima ishte i përfshirë në një organizatë të tillë, ndoshta edhe pa dëshirë, por thjeshtë si trashëgimtar. Ai nuk arriti të plotësonte dot marrëveshjen që kishte nënshkruar me mafian, kjo ishte arsyeja që mafia e ekzekutoi atë më 12 mars të vitit 1992 në Palermo.
8. XHOVANI FALKONE Falkone ka lindur në 18 maj 1939 në Palermo, ishte një gjykatës italian, i cili u specializua për ndjekjen e krimeve të “Cosa Nostr”-s. Ka qenë i njohur për gjyqet e tij, ku nga 474 mafiozë, 360 janë dënuar për krime të rënda dhe 119 janë dënuar në mungesë. Sekretet e mafies, Falkone i mori nga Tomaso Busketa, mafioz sicilian. Falkone u vra së bashku me gruan e tij dhe tre policë më 23 maj 1992. Makina në të cilën ata udhëtonin shpërtheu nga një bombë që ishte vendosur në segmentin e rrugës në të cilën ata po udhëtonin. 9. PAOLO BORSELINO Miku i ngushtë i Falkones, Paolo Borselino, i cili përfundoi edhe magjistraturën në të njëjtën kohë me të dhe kishin vendosur që bashkë të luftonin mafian, vendos që të vazhdojë punën e lënë
në mes të Falkones pas vrasjes së tij. Borselino filloi të shkelte në atë që quhej “tokë e ndaluar” e familjeve mafioze, kryesisht të “Cosa Nostra”-s dhe bosëve të mëdhenj nuk u erdhi aspak mirë që ai po i “fuste hundët” kaq shumë. Kështu në kuadrin e 56 ditëve nga vrasja e Falkones, më 19 korrik 1992, do të vinte radha e Paolo Borselinos dhe rojeve të eskortës së tij. 10. MIKELE NEVARRA Padyshim jo vetëm vrasjet e njerëzve të shtetit, kryesisht të drejtësisë u cilësuan të bujshme në Amerikë. Me një bujë të jashtëzakonshme u shoqëruan edhe ekzekutimet e njerëzve të pushtetshëm, por që nuk ishin pjesë e shtetit. Ishin bosë të mafies. I tillë ishte edhe Mikele Nevarra, bosi i familjes Korleoneze. Nevarra quhej ndryshe “Babai jonë”, por në fakt diku u prishën pazaret, u prekën interesat dhe ai u ekzekutua më 2 gusht të vitit 1958, atëherë kur mafia ishte në lulëzimin e saj. 11. MIKELE KAVATAIO Mikele Kavataio, i ashtuquajturi “Kobra”, ka lindur në Palermo në vitin 1928. Ai konsiderohej si krimineli më i madh italian i asaj kohe, bosi mafioz që drejtonte Akuasantan në Palermo. Protagonisti i luftës së parë të mafies në Itali, ekzekutohet nga rivalët e tij më 10 dhjetor të vitit 1969, kur ishte 41 vjeç. Vrasja e tij u shoqërua me një bujë të jashtëzakonshme për vetë faktin se ai shihej si njeriu më i rëndësishëm dhe më i pushtetshëm i mafies.
12. ÇEZARE TERRANOVA Një nga njerëzit më të rëndësishëm të drejtësisë së asaj kohe në Itali ishte edhe Çezare Terranova, i cili u përpoq të hidhte pak dritë mbi “Cosa Nostra”-n. Në fakt kjo ishte detyra e tij, por që i solli edhe fundin e një karriere të shkëlqyer. Mafia mëngjesin e 25 shtatorit të vitit 1979, organizoi ndaj tij në Palermo atentatin e përgjakshëm, ku mbeti i vrarë Terranova dhe bashkë me të edhe karabinieri Lenin Mancuso. Terranova nuk mbahet mend vetëm si një nga njerëzit më të rëndësishëm të drejtësisë, por edhe si deputet dhe si anëtar i Komisionit Parlamentar të Antimafias. 13. BORIS XHULIANO Në vitet ’80—të Boris Xhuliano u cilësua si investigatori më i suksesshëm i policisë dhe skuadrës së Palermos. Ai përdori metodat më speciale të hetimit për të zbuluar lidhjet që kishin politikanët në fund ‘70-të më mafien dhe në fakt deri diku ia arriti qëllimit. Kjo u cilësua si një sukses i Xhulianos për vetë faktin se proceset gjyqësore deri në ato vite të gjitha kishin dështuar për mungesë provash. Mafia organizon një atentat ndaj tij, më 21 korrik të vitit 1979 në Palermo, ku ai mbetet i vdekur.
14. STEFANO BONTADE Bondate është cilësuar si një ndër shefat e “Cosa Nostra”-s së Amerikës. Stefano Bondate ka qenë anëtar i “Triumviratit” të “Cosa Nostra”-s në vitet ’70-të-’80-të. Nga shumë të penduar dhe bashkëpunëtorë të drejtësisë, ai është konsideruar si ndjekës i vijës së mafies klasike, larg drogës dhe vrasjeve. Ai është njohur si kundërshtar i korleonezëve dhe i Toto Riinës. Me urdhër të Riinës ai ekzekutohet më 23 prill të vitit 1981, kur ishte në moshën 42 vjeçare, në Palermo.
View more...
Comments