010_Tipologjia e Baneses Qytetare Kosovare e Shekujve XVIII-XIX_Emin Riza
March 2, 2018 | Author: mkolczynska | Category: N/A
Short Description
Download 010_Tipologjia e Baneses Qytetare Kosovare e Shekujve XVIII-XIX_Emin Riza...
Description
TIPOLOGJIA E BANESËS QYTETARE KOSOVARE E SHEKUJVE XVIII – XIX Emin RIZA PERLA – Revistë shkencore – Kulturore tremujore Viti XI 2006 Nr. 3 (42) fq. 82-92 Botuesi: Fondacioni Kulturor “Saadi Shirazi” – Tiranë
Për arsyet e njohura jashtëshkencore, trashëgimia kulturore kosovare, e lidhur pazgjithshmërisht me shqiptarët, autoktonë në trojet e tyre që prej muzgut të historisë dhe deri më sot, pra dhe ajo në fushën e banesës popullore, është lënë pas dore, ose është trajtuar me mungesë kompetence dhe paragjykime. Deri vonë në shumë trajtesa të temës banesa qytetare e Kosovës, përveç kullës, arritjet e tjera, padyshim madhore për kohën, janë konsideruar prej studiuesve serbë, arkitekturë profane ballkanike, ose arkitekturë turke. Shkëputja arbitrare e banesës kosovare prej bashkësisë, natyrshëm shqiptare dhe kundrimi i saj brenda suazash politike sa të vona aq edhe të padrejta, e kanë lënë banesën kosovare jashtë shtratit të saj të natyrshëm. Në këto rrethana shpjegimi i kësaj dukurie, e cila bart ngarkesa të qarta dhe autentike historiko – kulturore shfaqet sa e domosdoshme aq edhe frutdhënëse. Banesë qytetare kosovare në periudhën në shqyrtim, konsiderojmë krijimtarinë në fushën e banesës në qendrat qytetare kosovare, të cilat cilësohen të tilla sepse prodhimi zejtaro – tregtar zinte vendin kryesor në ekonominë e vendbanimit, në dallimin prej qendrave fshatare, në të cilat mbisundonte ekonomia bujqësore dhe blegtorale. Dëshmitë e kësaj trashëgimie, pra banesat qytetare që ruhen ende, ose janë të dokumentuara, të cilat kohësisht i përkasin kryesisht shekullit XIX dhe më herët shekullit XVIII, lejojnë që të paraqitet një kuadër deri diku i saktë i tipareve dhe i karakteristikave urbanistiko – arkitektonike si dhe i atyre teknike të kësaj kategorie ndërtimore. Objekt i këtij artikulli do të jetë tipologjia e kësaj krijimtarie. Ajo bart cilësinë popullore sepse është krijesë e mjeshtrit popullor të pashkolluar me bashkëpërfshirjen e porositësve, qytetarë larg profesionit të ndërtuesit.
1
Tipologjia e banesës qytetare kosovare të shek. XVIII – XIX, kësaj kategorie ndërtimore thelbësore në bashkësinë urbanistiko – arkitekturore të qendrave të banuara qytetare të së kaluarës, shfaqet si karakterizuese thelbësore. Në rastin tonë me tipologji kuptojmë identifikimin e zgjidhjeve të ndryshme kompozicionale të banesës qytetare kosovare. Kjo tipologji shfaqet nëpërmjet një numri tipesh dhe brenda secilit prej tyre me një numër variantesh. Tipi paraqet tiparet thelbësore të një zgjidhjeje kompozicionale, ndërsa variantet zgjidhje të ndryshme kompozicionale, duke respektuar parimet themelore të tipit përkatës. Banesat qytetare kosovare të shekujve XVIII – XIX, mund të klasifikohen në katër tipe. Emërtimet e tyre do të mbështeten në theksimin e përbërësve të spikatur kompozicionalë, ose në ndonjë karakteristikë thelbësore të ndërtimit. Mbi këto kritere banesa në fjalë shfaqet në katër tipe, banesa me hajat, banesa me çardak, banesa me qoshk dhe kulla qytetare, pa përjashtuar zgjidhjet e veçanta. Besojmë se vendosja e këtyre katër tipeve me renditjen e mësipërme, shfaq edhe kronologjinë relative ndërmjet tyre. Përsa i përket numrit të kateve vetëm varianti i parë i banesës me hajat është përdhes, ndërsa tre të tjerët shfaqen si banesa me dy kate dhe rrallë me tre të tillë në tipin me qoshk dhe kullë. E njohur është edhe praktika e ndërtimit të katit pjesërisht nëntokësor, përgjithësisht, me shtrirje të pjesshme në krahasim me katin, ose me katet e tjera. Banesat me kompozim volumor të thyer, kushtëzuar prej truallit shkëmbor të pjerrët mbi të cilin ato ngrihen i ndeshim rrallë si në lagjen kala të Prizrenit dhe në Janjevë. Banesat qytetare kosovare rrethohej me mure, duke pasur oborre të madhësive të ndryshme. Përgjithësisht banesat nuk dalin në rrugë me pamjet kryesore, por kur trualli është i kursyer si në qendrat e qyteteve ndeshim edhe zgjidhje të tilla, krahasimisht të vona të fundit të shek. XIX., në disa shembuj kryesisht në banesat e shtresave të pasura, ndeshim një banesë të vogël të veçantë e cila shërben si shtëpi miqsh, që përgjithësisht ndërtohet veçmas, në hapësirën pranë portës së oborrit të banesës. Banesat në fjalë, kanë një repertor thuajse të njëjtë mjedisesh, themi thuajse, sepse në shtresat e pasura të cilat parapëlqenin variante të zhvilluara, numri i mjediseve është krahasimisht i madh. Disa mjedise si hajati, çardaku dhe qoshku lidhen me një tip të caktuar banese. Banesat me kat të tipit me çardak, përgjithësisht e kanë katin përdhes të pabanuar. Mjediset e banesës qytetare kosovare janë të mbyllura, ose të hapura si hajati,
2
çardaku dhe qoshku, duke qenë këta të dy të fundit edhe të mbyllur me ndarje të lehta dhe dritare të shumta. Në repertorin e mjediseve të banesës në shqyrtim, përfshihen, ahri, hajati, çardaku, qoshku, shtëpia e zjarrit, oda, mjedisi sanitar dhe hapësirat ndërlidhëse. Oda dhe hapësirat ndërlidhëse, mund të jenë më shumë se një njësi, në përputhje me variantin të cilit i përkasin. Pavarësisht prej tipit të banesës, njësia thelbësore e kompozimit oda, paraqet zhvillim në kohë përsa i përket kompozimit, pajisjeve arkitekturore dhe trajtimit dekorativ. Më e pasura është oda e miqve, ndërsa mjedisi më i thjeshtë i banuar është shtëpia e zjarrit. Mjediset e hapura ose të mbyllura si hajati, çardaku dhe qoshku janë më të tipizuarat. Mbi bazën e këtij repertori hapësirash mjedisore, duke përzgjedhur disa prej tyre dhe duke i kompozuar ato, pra duke i vendosur në bashkëmarrëdhënie të ndryshme funksionalo – hapësirore, arrihet në banesa të cilat i përkasin një tipologjie të caktuar. Banesa me hajat është tipi më i lashtë i banesës qytetare kosovare. Ai karakterizohet nga prania e mjedisit të hapur të hajatit, i cili vendoset në pozicione të ndryshme në kompozim. Hajati është një mjedis i cili, sipas rastit është i hapur në ballë dhe në të dy sipërfaqet anësore, në njërën prej tyre, ose vetëm në ballë. Nga kjo vendosje e hajatit shfaqen tri variante të kësaj banese, të asaj me hajat në gjithë ballin, me hajat anësor dhe hajat qendror. Ky tip banese, sot ndeshet rrallë në hapësirën e qyteteve të Kosovës. Disa shembuj kanë qenë ruajtur deri vonë në Gjakovë. Varianti me çardak në gjithë ballin ndeshet shumë rrallë, por besojmë se ai ka qenë ndërtuar, veçanërisht gjatë shekullit XVIII. Kjo banesë në variantet me hajat anësor dhe në qendër ndeshet ende. Kompozimi i banesës është i thjeshtë. Ai formohet prej dy radhe mjedisesh, atij fundor dhe ballorit. Në rradhën e mjediseve fundore, në dy ose tre të tilla ndërtohen mjedise banimi, ndër të cilat përmendim shtëpitë e zjarrit. Brezi ballor, sipas variantit, formohet vetëm prej hajatit, ose atij dhe një ose dy mjediseve të banimit në një, ose të dy krahët e hajatit. Hapësira e hajatit, përgjithësisht, krahas funksionit ndërlidhës, ka edhe sipërfaqe qëndrimi, në formë platformash të ngritura prej nivelit të dyshemesë. Në disa shembuj të këtij tipi, ndeshim të ndërtuar një a dy mjedise nën nivelin e katit të vetëm të banuar me funksione ndihmëse. Në këtë tipologji ndeshim edhe shembuj hajatesh të mbyllura që në krye, ose dhe më vonë.
3
Përhapje të gjerë, në qytetet e Kososvës, gjatë shekujve XVIII – XIX ka pasur banesa me çardak. Ky tip i banesës me kat, i cili ka lidhje të qarta gjenetike me banesën me hajat, njihen me qytetet shqiptare që para pushtimit turk. Banesa me çardak ndeshet në të gjithë qytetet e Kosovës, në periudhën në shqyrtim. Skema kompozicionale e këtij tipi është e thjeshtë, ajo ka paralele deri në identitet me banesën me hajat. Kompozimi formohet prej dy breza mjedisesh, atij fundor dhe përbri atij ballor, me zhvillim thuajse të barabartë në të dy katet. Pjesa fundore formohet prej mjedisesh banimi, ndërsa në atë balloren, vendin kryesor e zë çardaku, i cili shtrihet në mbarë ballin, një pjesë anësore të tij, a vetëm në pjesën qendrore. Sipas kësaj vendosjeje, ashtu si në banesën me hajat, banesa me çardak ndeshet në tri variante, atë me çardak në gjithë ballin, me çardak anash dhe çardak në qendër. Çardaku është një volum i banesës, i hapur me një, dy ose tri balle. Struktura e mbulesës së tij mbahet me një rradhë shtyllash druri. Çardaku ndërtohet mbi hajatin. Prej këtij të fundit zënë fill shkallët e drurit, njërampëshe, që të çojnë në çardak. Përgjithësisht, çardaku është i hapur, të paktën në një ballë, sipas vendosjes së tij në kompozim. Në Kosovë, ndeshim edhe çardaqe të mbyllura me parete të lehta, me teknikën e skeletit të drurit, duke ndërtuar, në çdo hapësirë ndërmjet shtyllave të drurit dritare, për ta lidhur shumë ngushtë çardakun me hapësirën e oborrit. Brenda hapësirës së çardakut krijohen rrafshe qëndrimi, më të larta se hapësira ndërlidhëse e tij, duke kthyer kështu pjesë të çardakut në oda të vërteta verore. Sipërfaqet e çardakut kanë shërbyer shpesh si hapësira që me punime të vogla kthehen në oda banimi, ashtu siç e vërejmë edhe në tipin e banesës me hajat. Tipologjia e banesave me hajat dhe çardak lidhet me atë stad të zhvillimit të qytetit në të cilin, krahas ekonomisë të përfshirë në sistemin e esnafëve, banorët e këtyre qendrave ishin të lidhur ngushtë dhe me ekonominë bujqësore si dhe me atë blegtorale. Gjatë shekullit XIX dhe veçanërisht gjatë gjysmës së dytë të tij, sistemi i esnafeve fillon të dobësohet dhe karakteri qytetar i qendrave të banuara fillon e theksohet. Ky realitet shfaqet me pasoja edhe në fushën e banesës qytetare, si në planin tipologjik ashtu edhe në karakterin e kësaj tipologjie. Rreth fillimit të shek. XIX, në qytetet e Kosovës, shfaqet tipi i banesës me qoshk, i cili gjithë duke trashëguar karakteristika prej banesave paraardhëse duhet konsideruar si dukuri e re. Banesa me qoshk, në hapësirat e qyteteve të Kosovës,
4
gjatë shek. XIX, shpejt u bë tipi mbisundues, duke u shfaqur madje herët, në dhjetëvjeçarët e parë të këtij shekulli, me shembuj të zhvilluar. Banesa me qoshk, emërtohet e tillë prej një elementi karakteristik të hapur, ose të mbyllur, i cili ndërtohet në pjesën qendrore të ballit të banesës, në komunikim me hapësirën ndërlidhëse të saj. Qoshku është hapësirë qëndrimi e parapëlqyer dhe me vendin e tij në kompozim dhe formulimin arkitektor, shfaqet ndeshëm në tërësinë e banesës. Banesa me qoshk, megjithëse në shkallë të zvogëluar, në krahasim me të dy tipet paraardhëse, nëpërmjet këtij elementi kompozicional ruan lidhjen me oborrin dhe më gjerë me natyrën. Kompozimi i banesës me qoshk, si asaj përdhese dhe asaj me kat, është i një skeme të thjeshtë. Ajo formohet prej tre njësish, asaj qendrore, me funksione ndërlidhëse, ku zhvillohen edhe shkallët, prej banesave me kat dhe nga dy blloqet anësore në të cilat renditen mjediset e banesës. Banesa me qoshk me kat është shumë më e përhapur se ajo përdhese e të njëjtit tip. Kjo banesë, në dallim prej të dy tipeve paraardhëse, shkëputet gradualisht, por qartazi prej mobilimit arkitekturor dhe dekoracionit të elementeve të ndryshme funksionale. Pamja e jashtme e thjeshtë, me strehë të mbyllur, me dritare të shumta dhe gjithmonë e suvatuar, gjallërohet dhe dinamizohet ndeshëm prej volumit të qoshkut, i cili ndërtohet në qendër të ballit , i cili shquan për simetri ndaj qoshkut. Kjo banesë me kompozimin e saj racional, e cila i përgjigjet kushteve të lindjes dhe të zhvillimit të marrëdhënieve të reja, ekonomiko – shoqërore që filluan të zëvendësojnë ato feudale i qëndrojnë kohës, pra kërkesave të reja jetësore. Madje ende edhe sot e kësaj dite, kjo banesë është e shfrytëzueshme në mënyrë komode. Tipi i katërt i banesës qytetare kosovare, kulla, kohësisht më e vona, e gjysmës së dytë të shekullit XIX, paraqet një dukuri ngushtësisht shqiptare në arealin ballkanik. Ky tip, i cili ndeshet rrallë në qytetet e Kosovës si në Pejë dhe Gjakovë, paraqet një zgjidhje të veçantë në tipologjinë në fjalë. Kulla si banesë e fortifikuar, në trojet shqiptare, shfaqet rëndomë në disa krahina të Shqipërisë së veriore, verilindore dhe në hapësirën e Kosovës në vendbanimet fshatare. Aty ajo është zhvillim i mëtejshëm i banesës vendase me tipare mbrojtëse që emërtohet “çardak”, gjatë gjysmës së dytë të shek. XIX. Zakonisht trekatëshe, këto ndërtime guri, kanë ndarje të qartë funksionale sipas katesh. Kullat tipike janë ato me nga një mjedis në çdo kat, duke u shumuar më vonë numri i mjediseve,
5
veçanërisht në të dy katet e banuara. Kullat në disa qytete të Kosovës janë ndërtuar kronologjikisht mbas shfaqjes së kësaj dukurie në fshatra të Kosovës. Pamja e jashtme e kullave qytetare në Kosovë përsërit karakteristikat e njohura të kësaj kategorie ndërtimore në fshat, ndërsa kompozimi i brendësisë ka ndikime prej tipologjisë së banesës së pafortifikuar qytetare. Po ashtu ky ndikim shfaqet edhe në trajtimin arkitekturor dhe dekorativ të brendësisë. Kullat, më së shumti janë ndërtuar si shtëpi miqsh prej familjesh të pasura, të përfshira në jetën politike veçanërisht gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare. Klasifikimi tipologjik i banesës qytetare kosovare të shekujve XVIII – XIX, ashtu si klasifikimet tipologjike në përgjithësi, nuk mund të përfshijë mbarë shembujt e banesave të ndërtuara në periudhën në shqyrtim. Për arsye nga më të ndryshmet, tipeve të parashtruara iu shmangen raste të ndryshme. Gjithë duke iu përmbajtur programit të banesës, përgjithësisht përcaktuar prej porositësit, ose pronarit të banesës, në qytetet kosovare ndeshim edhe ngrehina banimi të cilat në planin kompozicional paraqesin raste të veçanta. Faktori kryesor i cili kushtëzon këto zgjidhje është ai i formës së truallit mbi të cilin ndërtohet banesa. Kështu banesat në lagjen Kala të Prizrenit shfaqen me zgjidhje të veçanta, të cilat të gjitha duke pasur repertorin e njohur të mjediseve i kompozojnë ato me zgjidhje të ndryshme prej tipologjisë së njohur, për të ndërlidhur arsyeshëm banesën me truallin. Natyrisht edhe për shkaqe të tjera në qytetet kosovare ndeshim me banesa tradicionale sipas kompozimesh të veçanta. Këto zgjidhje nuk cenojnë karakteristikën thelbësore të arkitekturës popullore të së kaluarës, por përkundrazi e nxjerrin atë edhe më në pah. Arkitektura e banesës popullore qytetare kosovare të shekujve XVIII – XIX është natyrshëm pjesë e krijimtarisë shqiptare në këtë fushë. Shkëputja e hapësirës së Kosovës prej njësisë homogjene Shqipëri dhe ndërprejrja thuajse e plotë e çdo ndërlidhjeje pas Luftës së Dytë Botërore, atëherë kur edhe në Ballkan filluan së pari studimet e arkitekturës popullore kanë lënë pasoja. Kështu ndërsa arkitektura popullore në Shqipërinë e gjysmës së dytë të shekullit XX iu nënshtrua studimeve dhe restaurimeve sistematike, banesa kosovare, për arsye jashtëshkencore u deformua në tiparet dhe karakterin e saj, ndërsa në planin e restaurimit ajo nuk përfitoi asgjë. U shfaqën synime të qarta për ta shkëputur atë prej porositësve dhe banuesve të saj, në shumicën dërrmuese
6
shqiptarë. Gjithë duke vënë në pah vlerat e kësaj trashëgimie të rëndësisë së veçantë historiko – kulturore, studiuesit e saj serbë nuk rreshtën ta cilësojnë atë turke orientale, ose në rastin më të mirë pjesë e arkitekturës profane ballkanike, me synimin e qartë për ta shkëputur atë prej ndërtuesve dhe shfrytëzuesve të saj shqiptarë. Tashmë, pas çlirimit faktik të Kosovës, janë krijuar kushtet për studimin e banesës kosovare dhe përqasjes së saj me simotrat në Shqipërinë politike. Gjatë mesjetës së vonë ballkanike, e cila shtrihet deri rreth mesit të shekujve XIX, megjithë njësinë e dallueshme të banesës qytetare shqiptare, në dallim me larminë e theksuar tipologjike të banesës fshatare të së njëjtës hapësirë, edhe e para shfaqet me larmi tipologjike. Kështu megjithëse në të njëjtin areal historiko – kulturor qytetet shqiptare të shekujve XVIII – XIX, kishin karakteristika të veçanta, vetjake ose në grup, përsa i përket tipareve të jetës ekonomike, duke kushtëzuar kjo rrethanë edhe tipologjinë e banesës. Për këto arsye në Shqipëri ndeshim tipe me përhapje të kufizuara si kulla qytetare, ose banesa e fortifikuar gjirokastrite, banesa me shtëpi zjarri përgjatë të dy kateve, ose kulla si banesë e fortifikuar në disa qytete të Kosovës. Ndërsa tipet e banesave me hajat me çardak dhe ato me qoshk, kanë përhapje në mbarë qendrat qytetare në hapësirën shqiptare të Shqipërisë dhe të Kosovës. Në të tri tipet, me përhapje krahasimisht të gjerë në të dy hapësirat shqiptare, në planin tipologjik, krahas paraleleve thelbësore shfaqen edhe dallime të dorës së dytë. Banesa me hajat e përhapur në qendrat qytetare të Shqipërisë së mesme dallohet për numrin e madh të banesave me hajat në gjithë ballin, ndërsa në qytetet e Kosovës ky variant është i rrallë. Tipologjia e banesës me çardak në Berat dhe në Shkodër, ku është e përhapur gjerësisht, shquan për përmasat e mëdha të banesave, katin përdhe të pabanuar, ndërtimin e gjerë të variantit me çardak në gjithë ballin dhe shkallët ndërlidhëse prej guri, shpesh monumentale, të mbajtura prej qemeresh. Përkundrazi banesat me çardak në qytetet e Kosovës janë përgjithësisht me përmasa më të vogla, me shkallë të thjeshta njërampëshe prej druri dhe më e rëndësishmja, në shumë shembuj, me çardak të mbyllur. Tipi i banesës me qoshk ka përhapjen më të gjerë në qytetet e Shqipërisë dhe të Kosovës, duke u shfaqur me arritje të rëndësishme, siç duket, më parë në Kosovë, ndërsa duke qenë tipi mbisundues gjatë shek. XIX, apo më saktë gjysmës së dytë të tij në qytetin
7
e Korçës. Në variantin përdhes ky tip shfaqet me përhapje më të vogël në krahasim me variantin me kat me përhapje tepër të gjerë edhe në dhjetëvjeçarët e parë të shek. XX. Repertori i mjediseve të banimit dhe atyre ndihmëse në banesat qytetare të Shqipërisë dhe Kosovës është i njëjtë. Përsa i përket të përbashkëtave dhe dallimeve, ato ndeshen më qartë në njësinë odë. Dallimet në këtë njësi lidhen së pari me lartësitë më të vogla të banesave qytetare në Kosovë, rreth 100 cm, në krahasim me simotrat në qytetet e Shqipërisë. Kjo diferencë në lartësi ka kushtëzuar mosndërtimin e trapazanit, ose të galerisë së sipërme mbi bllokun fundor të odës në banesat kosovare. Gjithashtu edhe rreshti i sipërm i dritareve fikse, përgjithësisht në odat e miqve, të varianteve të zhvilluara të banesave në qytetet e Shqipërisë nuk haset në Kosovë. Sistemi i ngrohjes është përhapur gjerësisht në banesat e qyteteve të Kosovës. Ai formohet prej një furre ku ndizej zjarri, ajri i ngrohtë i së cilës kalonte në një lloj të veçantë ndërtimi, në të cilin ai qarkullon, krahas ai ngroh nënshtresën e banjës dhe enën me ujë në të. Ky instalim nuk ndeshet në banesat e qyteteve të Shqipërisë, me përjashtime tepër të rralla. Edhe oxhaku është tepër i përhapur në mbarë banesat qytetare në hapësirat e përmendura. Elementet e ndryshme funksionalë të banesave si dhe trajtimi dekorativ i tyre paraqet afërsi dhe dallime. Banesa qytetare kosovare e shek. XVIII – XIX, me begatinë e tipologjive dhe arritjet e rëndësishme dhe plot vlera për kohën, natyrshëm plotësojnë atë pasuri e cila emërtohet banesë shqiptare, pra banesë e ndërtuar përgjithësisht prej shqiptarëve për shqiptarët. Pa mëdyshje, me arritjet e saja dhe përhapjen e gjerë, kategoria banesë qytetare kosovare e shek. XVIII – XIX, së bashku me simotrat në hapësirën e Shqipërisë politike, qëndrojnë në rradhët e para të hapësirës ballkanike për këtë kategori ndërtimore.
8
View more...
Comments